Telegrafi

Rama kritika disa deputetëve të PS: Dalin në popull vetëm kur më shoqërojnë mua

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat edhe ndaj disa deputetëve të Partisë Socialiste në Kongres, për të cilët tha se janë tejet pasivë.

Rama tha se të jesh deputet i PS është një privilegj i pakrahasueshëm, të cilin duhet t’ua shpërblesh me punë qytetarëve shqiptarë.

Ai tha se ka deputetë në PS që nuk e kanë përmbushur ende minimumin jetik për të cilin paguhen për të qenë ligjvënës.

Shefi i qeverisë shtoi se ka deputetë që dalin në takime me njerëz vetëm kur shoqërojnë vetë atë (kryeministrin Rama).

“Urtësia e deputetit dhe fjala, janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por jo tjetër gjë, përveçse shembulli që do të dëgjojë njerëzit dhe të zhvillojë dijet e veta për problemet me të cilat duhet të merret, për halle të mëdha dhe të vogla.

Të rritet, lartësohet në sytë e njerëzve, përmes punës që bën për vendin dhe për të mos harruar asnjëherë që tua qaj hallin atyre që nuk ua zgjidh dot. Kjo vlen për çdo deputet, por për këdo që merr vlerësimin dhe ka nderin që të jetë deputet i partisë më të madhe, më të besuar dhe fitimtare.

Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që e konsideroj privilegj të pakrahasueshëm dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve, është borxh i jashtëzakonshëm që nuk lahet dot deri në fund.

Atyre që më pyesin shpesh se ku e gjej gjithë këtë energji dhe durim, ua kthej me buzëqeshje, por s’kam se si rri asnjë orë rehat, përderisa ata që ma kanë bërë atë nder, s’janë rehat. Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh, që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin jetik për detyrën që paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm kur më shoqërojnë mua, apo për të bërë një fotografi prezence kur zhvillohet një takim fushate”, tha Rama./tch/