Site icon Telegrafi

Rama ironizon: Nga revolucioni me 200 mijë njerëz jam fshehur disa herë në Dajt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti fjalën e tij në seancën maratonë të kësaj të enjteje në Kuvend.

“Po të doni mos u shkulni më kurrë nga udhëkryqet e revolucioneve tuaja imagjinare për të vulosur largimin tim, por mua s’do më keni më palë. Në këtë vallen e pambarimtë të shpatave tuaja, një neveri kombëtare ku pa e dëshiruar dhe as kuptuar jam kthyer në pjesë të pandarë të saj. Ju jeni në rregull”, tha Rama.

“Keni hyrë në vitin e dhjetë të rrugës ku më keni rrëzuar disa herë çdo vit, më keni tërhequr zvarrë çdo dy vjet, më keni detyruar të arratisem një vit po dhe një vit jo, keni mbledhur 100 mijë deri në 200 mijë njerëz në bulevard 120 herë duke më detyruar të fshihem në malin e Dajtit 60 herë dhe 60 herë të tjera mos të di as ku të fshihem dhe që t’i themi të gjitha siç janë më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve të fundit dhe jam i vetëdijshëm se ky vit i dhjetë do të jetë viti i fitores suaj më të madhe elektorale të kësaj dekade”, ironizoi Rama.

Ai vijoi me ironinë kur tha se meqë Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin opozita “i ka në xhep” më 14 maj, atë ditë do të fitojë dhe Vlorën dhe Uashingtonin.

Seanca maratonë e kësaj të enjteje pritet të zgjasë gati 24 orë. Do të zhvillohet mocioni me debat për kryeministrin Edi Rama sa i takon çështjes McGonigal.

Grupi parlamentar i PS-së do të ketë 750 minuta në dispozicion ndërsa PD-ja do të ketë 350 minuta. /Telegrafi/

Exit mobile version