Telegrafi

Rama ia përmbush kërkesën Kurtit për takim – i nënshkruan 13 marrëveshjet e përbashkëta

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se sot në mëngjes janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, 13 marrëveshjet që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor.

Rama ka thënë se mbetet me shpresë se pas kësaj do të ketë takim me kryeministrin Kurti.

“Me firmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama në Twitter.

Kryeministrin Albin Kurti, i cili të mërkurën tha se është i gatshëm ta presë Ramën në takim vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, përndryshe jo.

Lexo po ashtu Kurti thotë se Ramën do ta takojë vetëm nëse mbahet mbledhja e dy qeverive

Kurti tha të mërkurën se kanë qenë në plan të nënshkruhen 13 marrëveshje, të cilat tash kanë ngelur në sirtarë.

“Unë i kam propozuar kryeministrit Rama që ta mbajmë mbledhjen e përbashkët ti nënshkruajmë ato marrëveshje që janë në sirtar. Andaj për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që i kam thënë se për takime te ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë ne takohemi shumë-shpesh. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri por edhe demokracia dhe paqja në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Kurti. /Telegrafi/