Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq bashkë me delegacionin e tij.
I pari i Prishtinës në shenjë nderimi ia dhuroi “Çelësin e kryeqytetit”, kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, raporton Telegrafi.
Rama tha se është i nderuar që ta pres në vizitën e tij të parë në Prishtinë, kryeministrin Abazoviq.
Ai tha se këtë Çelës po ia dhuron si simbolik që Abazoviq ta ndjejë veten si në shtëpinë e tij, si dhe siç u shpreh Rama “të lidh më shumë dy shtetet”.
“Na keni nderu me vizitën tuaj në kryeqytet, prandaj dëshirojmë të ju dhurojmë Çelësin e Prishtinës… kjo është shtëpia juaj dhe jeni të mirëseardhur kurdoherë. Shpresoj që ky Çelës të lidhë shtetet tona edhe më shumë, pra Kosovën me Malin e Zi. Po ashtu edhe personalisht për ju që ta ndjeni veten si në shtëpinë e juaj”, ka thënë Rama.
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se e ndjen veten si në shtëpinë e tij.
“Falënderoj kryetarin e Prishtinës. Ky Çelës është simbolik që të bëhem qytetar i Prishtinës dhe me të vërtetë e ndjejë veten si në shtëpinë time…”, ka thënë kryeministri i Malit të Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama /Foto: Ridvan Slivova