Ajo që ne na takon është të bëjmë gjithçka që ne kemi në dorë dhe të garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave, pasi të gjitha ato që kërkohen nga Bashkimi Evropian, ne nuk i bëjmë për BE-në, por i bëjmë për të ardhmen e vendit tonë dhe fëmijëve tanë.
Kështu deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Olivér Várhelyi, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Lidhur me procesin e integrimit, kryeministri Rama siguroi se “Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar”.
“Kemi ndarë së bashku pikëpamjet lidhur me çfarë ka ndodhur në fund të vitit të shkuar dhe çfarë mund të presim nga ky vit. Në këtë aspekt, Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar”, tha Rama.
Ai theksoi se “nëse ka një arsye madhore për të qenë krejtësisht të përfshirë në këtë proces dhe për t’i bërë të gjitha këto detyra, kjo arsye është përputhshmëria e plotë e këtyre objektivave të vendosura në procesin e integrimit evropian me nevojën që vendi ka dhe që fëmijët tanë kanë për nesër.
“Kështu që vendimin do ta marrë Këshilli Evropian, por sido që të jetë vendimi ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të ecim sa më shpejt dhe me sa më shumë rezultate në ndërtimin e Shqipërisë evropiane”, tha Rama.
I pyetur lidhur me qëndrimin e Francës, Rama tha se “ju e dini shumë mirë që kjo nuk është një çështje e lidhur drejtpërdrejtë me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut, por është një çështje e lidhur me një diskutim të brendshëm në BE lidhur me metodologjinë e zgjerimit”.
Kryeministri tha se ka informuar komisionerin evropian për ecurinë e të gjitha proceseve, të reformës në drejtësisë në radhë të parë si dhe “për iniciativën e re që do të aktivizojmë në ditët në vijim”.
“Jemi duke përfunduar diskutimet edhe me ekspertizën ndërkombëtare për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe eksponentëve të krimit si dhe kundër atyre gjyqtarëve e prokurorëve që si në rastin fare të freskët para dy ditësh, i përkasin organizatës KÇK dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme mes sistemit të vjetër që po shembet dhe atij të ri që po ndërtohet nga reforma, për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin”, tha Rama. /ATSH/