Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën për medie, e cila do të përmbyllë vizitën e tij zyrtare dyditore në Kosovë, tha se komunikata e Prokurorisë Speciale, të cilën ai e quajti si “fletë-rrufe”, është e ngjashme me komunikatat e revolucionit kulturor kinez, të cilat tha se i kanë përjetuar gjatë diktaturës në Shqipëri.
Ai tha se pavarësisht nëse është bërë me qëllim apo jo, publikimi i kësaj komunikate në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë “abortoi një proces që lidhet me paqen”.
“Komunikata e ashtuquajtur, për mua një fletë-rrufe, për mua e ngjashme me komunikatat përgjatë revolucionit kulturor kinez, një shfaqje që e kemi përjetuar ne në Shqipëri gjatë diktaturës, e publikuar në momentin e publikimit të saj, pavarësisht nëse ai është i rastësishëm apo i qëllimshëm në prag të një takimi në Shtëpinë e Bardh, për të thënë se historia nisi të shkruhej me një akt që abortoi një proces që lidhet me paqen, politik që lidhet me paqen. Takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është vijim i një përpjekjeje me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë e SHBA-ve”, tha Rama. /Telegrafi/