Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është drejtuar sot Këshillit të Evropës për të kërkuar rishikimin e raportit të Dick Marty-t dhe për të shpallur të pabaza akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e raportit duke i analizuar të gjitha pikat e tij.
Ai i konsideroi fantazi pretendimet e raportit.
Rama shtoi se raporti është një fantazi e pastër e fabrikuar në Kremlin dhe e sjell në Këshillin e Evropës.
“Përfaqësoj Shqipërinë por nuk kam ardhur të flas vetëm për Shqipërinë, edhe pse tema lidhet me Shqipërinë si shpirti me trupin. Kjo ka lidhje me çështjen e marrëdhënies së një vendi me të shkuarën e vet dhe ndikimin që kjo mund të ketë në zhvillimin e tij në të ardhmen”, tha Rama.
“Ta kthesh një histori konflikti në histori bashkëpunimi, kërkon jo vetëm guxim, vullnet të mirë dhe besim mes shteteve, por edhe guxim të bashkëndarë të institucioneve ndërkombëtare. Nëse këto institucione dështojnë të japin drejtësi, dëmi është i madh, një goditje ndaj të gjitha përpjekjeve tona për të kthyer një faqe të errët të historisë sonë, për të shkruar një faqe tjetër”, tha Rama në fjalën e tij.
Rama foli edhe për situatën e luftës në Ukrainë teksa e paralelizoi me situatën e Kosovës.
Rama kërkoi nga pjesëmarrësit në Asamble që Kosova të thërritet nga ata me emrin e saj të vërtetë, Republika e Kosovës, jo më Kosovë.
“Ka kombe që jetojnë duke mbrojtur lirinë e tyre nga gënjeshtrat gjithë jetën, ata shpresojnë të rezistojnë për sa kohë munden. Ky është rasti i Ukrainës tani, dhe ky ishte i Kosovës disa dekada më parë. Nuk ka asnjë paralele mes Krimesë dhe Kosovës, edhe pse a një mes Kosovës dhe Ukrainës. Meqë ra fjala nuk do ishte mrekulli nëse ju këtu do nisnit tu mësonit të tjera për ta quajtur Kosovën me emrin e saj të vërtetë, jo Kosovë por Kosova, Republika e Kosovës. Ashtu siç quhet në të vërtetë”, u shpreh Rama.
Në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, kërkohet që akuzat e raportit të Marty-t të konsiderohen të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.
Më herët, në 10 gusht, Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës i drejtoi një notë verbale selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg, duke theksuar se edhe pas 11 vitesh hetime pretendimet në Raportin e Dick Marty-t nuk janë provuar.
Asambleja e Këshillit të Evropës mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte – përfshirë edhe raporte vijuese – për çfarëdo teme që është në mandatin e këtij Këshilli.
Sipas këtij rregulli, një mocion për rekomandim apo rezolutë duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përfaqësues apo zëvendësues, që u takojnë pesë delegacioneve kombëtare, ose duhet të miratohet me kuorumin e nevojshëm nga një nga komisionet e këshillit.
Pasi një raport të jetë diskutuar dhe votuar brenda një komisioni, mund të paraqitet dhe të publikohet si dokument i Asamblesë dhe vetëm atëherë mund të vendoset në rendin e ditës të debatit plenar. /Telegrafi/