Telegrafi

Rama falënderon ekipet e angazhuara për përballimin e përmbytjeve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një mesazh falënderimi për të gjithë ekipet e emergjencave të angazhuara në zonat e prekura nga reshjet e shiut dhe përmbytjet.

Përmes një postimi me foto në Facebook, kreu i qeverisë tregon përmes fotove punën në shërbim të komunitetit për të përballuar situatën.

“Mirëmëngjes dhe me krenari e mirënjohje për të gjithë trupat e Ushtrisë, Emergjencave Civile, Policisë, punonjësit e OSHEE-së, Shëndetësisë, Bujqësisë, Bashkive, në zonat e prekura nga reshjet e larta, të cilët po tregojnë ditë e natë se sa përpara ka bërë shteti shqiptar në gatishmërinë për t’i shërbyer popullit, ju uroj të gjithëve ju një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Kujtojmë që reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, ku më problematike situata i paraqit në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. /Telegrafi/