Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rathënë se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin Kurti apo jo.
Rama sot ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Shefi i qeverisë shqiptare nuk është pritur nga homologu i tij kosovar.
Ai tha se derisa po vazhdon të qëndrojë në Prishtinë, kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë.
“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht”.
“Nuk kemi asnjë përgjigje sepse s’kemi pasur mundësi të kemi përgjigje zyrtare. Të gjitha qeveritë e tjera janë përgjigjur si e kemi bërë ne kërkesën. Edhe tani që flasim s’ka qenë e mundur të kontaktohet kabineti”, tha Rama në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai foli edhe për Kanunin, ku e përdori si shprehje gjatë një interviste në Maqedoni të Veriut sot gjatë ditës.
“Edhe ajo e kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Dhe kur thuhet “miku”, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt”.
“Dhe ti je i detyruar ta hapësh derën dhe ta presësh, pavarësisht se është një prani që t’i nuk e dëshiron dhe në këtë sens, edhe kaq mjafton për të mos krijuar shfaqje të tilla”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se Kurtit i ka bërë aq shumë kërkesa për takimin e sotëm sa “as në rininë time s’i kam shkuar mbrapa një Xhuljete indiferente me aq shumë kërkesa”.
Kurse, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Rama e quajti si “djalë simpatik shumë”, por sipas tij, ai “s’ka lidhje fare me këto tema”.
“Unë e kuptoj që do të thotë fjala ‘më ka ngelur hatri’, më ka ngelur hatri për mbledhjen e dy qeverive që u anulua, dhe tash si do ia bëjmë. Do ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin që do të bëjmë për kancelarinë në këto vizita dyditore?”, tha Rama.
Rama tha se me Kurtin ka raporte shumë të mira përsonale, por se problemin e ka me qëndrimet e tij si kryeministër.
“Me kryeministrin e Kosovës unë tani kam një divergjencë shumë të madhe, për arsye të këtij izolimi, osë thënë më saktë vetizolimi, një izolim i çuditshëm që po ua imponon forcërisht qëndrimi i Kosovës, aleatëve dhe miqve tanë”, tha Rama.
Albin Kurti, dje tha se me Edi Ramën, takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive.
Javë më parë, Rama e kishte anuluar pjesëmarrjen në mbledhjen qeveritare Kosovë-Serbi për shkak të mosdëgjueshmërisë së Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare.