Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar homologun e tij kosovar, Albin Kurti, për pranimin e draftit të Bashkimit Evropian për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti është pajtuar që ky draft i prezantuar në Kosovë e Serbi nga pesë diplomatë perëndimorë, të jetë bazë për diskutime rreth zbatimit të marrëveshjes bazë mes dy shteteve.
E lidhur me këtë ka reaguar Rama, duke thënë se është “vërtetë pikë kyçe”.
“Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe”, ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin social “X”.
Ai ka shtuar se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtë, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve.
“ Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/
Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës…
— Edi Rama (@ediramaal) October 26, 2023