Kryeministri Edi Rama ka lënë spitalin mëngjesin e së premtes ku qëndroi për më shumë se 24 orë pas operacionit të hernies inguinale që iu nënshtrua një ditë më parë.
Shefi i kirurgjisë Arben Gjata konfirmon për A2 se kryeministri ka kryer ekzaminimet rutinë sipas portokollit dhe më pas është larguar nga ambientet e QSUT, teksa gjendja e tij shëndetësore ka qenë e mirë.
Operacioni u realizua nën drejtimin e mjekut Arben Gjata, i ndihmuar nga Arben Beqiri, Dritan Rehovica, shefi i anestezi-reanimacionit Krenar Lila, dhe Saimir Kuçi.
Kryeministri e paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohej sërish për shkak të një problemi shëndetësor. Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale, shkruan televizioni A2. /Telegrafi/