Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i dorëzoi sot medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” Komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, gjeneral Tod Daniel Wolters.
Rama i dorëzoi medaljen e lartë gjeneralit Wolters me motivacionin: “Me mirënjohjen e thellë për vizionin, kontributin dhe bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare, si dhe për mbështetjen e rolit të Shqipërisë në ruajtjen e paqes e sigurisë rajonale”.
Gjate fjalës së tij, Rama zbuloi pas bazës së Kuçovës, Shqipëria ka plan të propozojë ngritjen e një baze detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri.
“E lashë për këtë moment qe t’i them Gjeneralit që nesër do të kemi mundësi t’i tregojmë disa prej ideve dhe në këto kohë mjaft specifike, mjaft të rrezikshme ai do të konsiderojë, ndoshta nuk është ide e keqe për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri. Na takon t’i paraqesim projektin atij dhe t’i tregojmë për çfarë kemi punuar dhe më pas ai sërish qysh prej fillimit do të jetë avokati dhe mbështetësi i kësaj ideje”, tha Rama.
“Forcat e Armatosura kurrë nuk do të harrojnë se ishte pikë së pari gjenerali Wolters që qysh prej ditës së parë mbështeti transformimin e bazës ajrore të Kuçovës në një bazë taktike të NATO-s, si dhe mbështeti që prej ditës së parë Shqipërinë si një prej vendeve pritëse të stërvitjes “Defender Europe””, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “edhe më shumë se kaq ishte gjenerali Wolters, që përkrahu dhe mbështeti qysh prej ditës së parë që Shqipëria të kishte selinë e forcave të speciale të komandës së SHBA-së në Evropë”.
“Ky është një moment për të kremtuar miqësinë e çmuar me aleancën më të çmuar që ky vend ka pasur fatin të ketë që është miqësia dhe aleanca me SHBA”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Kryeministri Rama deklaroi se “jemi radhitur në anën e duhur të historisë dhe jemi qysh kemi qenë që në krye të herës, të pozicionuar krah aleancës për të qenë kudo e kurdo është nevoja, në momentin e duhur në vendin e duhur për të luftuar çdo forcë që kërcënon jetesën tonë, botën së cilës i besojmë, të ardhmen e brezave që vijnë”. /Telegrafi/