Site icon Telegrafi

Rama me dalje publike pas disa ditësh mungese: Më kapi flama gripale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri sot daljen e parë publike në rrjetet sociale pas disa ditësh mungese, ndërsa ka bërë dhe një njoftim në lidhje me politikat mbështetëse të qeverisë.

Ai tha se arsyeja e mungesës që prej disa ditësh ka qenë gripi, por megjithatë nuk ka shkëputur komunikimin me departamentin e financave.

Rama theksoi se pakoja e madhe ka ndihmuar shumë 1 milion përfituesit e saj ndërsa theksoi se do të rritet paga minimale.

“Përshëndetje, javë të mbarë. Bëni kujdes me këtë flamën gripale se e hoqa vet. Nuk e kam ndalur komunikimin me skuadrën time sidomos me financat për disa politika mbështetëse, duke nisur nga pagat minimale tek pagat për ca kategori të veçanta burimesh njerëzore, mbështetja për strehim e mjekëve, ushtarakëve, policëve që kanë një familje të re”, tha Rama në një video në Facebook.

“Natyrisht pakoja tjetër për pensionistët. Na vjen shumë mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milion përfituesit e saj, çka vihet re një rritje të ndjeshme të konsumit. Padyshim që duhet akoma. Duke filluar nga ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat, sidomos ata në prodhim. Do të paguhen më shumë e sa më pare”, tha Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version