Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau sot lajmin e mirë se, prej 1 tetorit, çmimet e “Internetit Roaming” mes Evropës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99 për qind.
Rama u shpreh se këto çmime janë konkretizuar pas firmosjes së marrëveshjes në samitin historik të dhjetorit në Tiranë.
Në kuadër të Samitit BE – Ballkani Perëndimor që u mbajt më datë 6 dhjetor 2022 në Tiranë, u nënshkrua Marrëveshja Roaming, e cila i hapi rrugë nisjes së procesit për heqjen e tarifës roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të 6 udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Sekretares së Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Majlinda Bregu. /Telegrafi/