Telegrafi

Rama çel ekspozitën personale në nisje të vizitës në Athinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nisi vizitën e tij të punës në Athinë me çeljen e ekspozitës së tij personale, një ceremoni ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Në fjalën e mbajtur me rastin e çeljes së ekspozitës, Rama u shpreh se nuk është ekspozita e tij e parë, por kjo është hera e parë që viziton një vend si kryeministër dhe në çantë nuk mban vetëm shënimet, por edhe artin e tij.

“Meqë ra fjala, unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë”, u shpreh ai.

Rama tha se e përjeton vërtet me shumë përulësi që pritet në këtë pallat të mrekullueshëm që ka histori të jashtëzakonshme.

“Kur vizatoj në zyrën time vëmendja nuk është tek ajo çfarë bëj me duar, por i lë sytë të lëvizin bashkë me duart, ndërsa mendja është plotësisht e përqendruar te çështja që diskutohet me bashkëpunëtorët e mi, ose te bashkëbisedimet telefonike, ose teksa peshoj vendimet që duhen marrë kur jam vetëm”, tha ai. /Telegrafi/