Telegrafi

Rama ballë për ballë me titanin e teknologjisë Elon Musk në Romë – publikon video gjatë bisedës me të

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua të shtunën në Itali me titanin e teknologjisë Elon Musk, gjatë një eventi të organizuar nga kryeministrja italiane, Georgia Meloni.

Rama publikoi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook një video, sipas të cilës shihet duke zhvilluar një bisedë me “njeriun më të pasur në botë”, transmeton Telegrafi.

“Me Mister X në Romë”, ishte mbishkrimi, me të cilin iu referua kryeministri i Shqipërisë, Muskut i cili është pronar i rrjetit social X i njohur dikur si Twitter; Musk gjithashtu ka në pronësi prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla, kompaninë me mision hapësinor SpaceX dhe kompaninë e çipave, Neuralink.

Palët u takuan në një festival politik të organizuar të shtunën në Romë nga kryeministrja italiane Meloni. Në eventin Atreju të kryeqytetit italian u raportua se do të marrin pjesë edhe kryeministri britanik Rishi Sunak dhe lideri i partisë së ekstremit të djathtë spanjoll Vox Santiago Abascal.

Shqipëria ka bashkëpunim me kompaninë hapësinore SpaceX, përmes së cilës u bë i mundur edhe lëshimi i dy satelitëve shqiptarë “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Lexo po ashtu Satelitët Albania 1 dhe 2 lëshohen në hapësirë

Lëshimi i satelitëve shqiptarë u bë përmes raketës Falcon 9 të SpaceX, raketë kjo që dërgon satelitët në orbitën e ulët të Tokës për shërbimin Starlink. /Telegrafi/