Mesfushori kroat, Ivan Rakitic ka këmbëngulur se dëshiron të mbetet te Barcelona, edhe përkundër thashethemeve të shumta për të ardhmen e tij.
Rakitic ka qenë shumë i përfolur gjatë javëve të fundit për një largim nga Camp Nou, ku shumë skuadra kanë shprehur dëshirë për ta pasur.
Megjithatë, ylli kroat ua ka mbyllur derën skuadrave të interesuara duke këmbëngulur se dëshiron të mbetet te Barcelona.
Madje 30-vjeçari tha se ai “qesh” kur sheh tregimet e përsëritura që e lidhin atë me një largim nga Camp Nou këtë verë.
“Kam edhe tri vjet në kontratën time [deri në vitin 2021]”, ka thënë fillimisht Rakitic pas ndeshjes kundër Sevillas.
“Dua të qëndroj këtu, jam i kënaqur që klubet e mëdha që më kërkojnë mua, por e shoh veten vetëm te Barcelona”.
“Unë qesh pak në mëngjes me kafen time kur shoh [historitë] për të ardhmen time”, përfundoi ylli kroat.
Ndryshe, Rakitic është njëri nga mesfushorët më të mirë në vitet e fundit, teksa me Barcelonën ka fituar të gjithë trofetë ekipor. /Telegrafi/