Ivan Rakitic nuk e ka ndërmend të largohet nga Barcelona.
Mesfushori kroat është lidhur me një kalim në Francë tek Paris Saint Germain, por në fund një gjë e tillë nuk ndodhi.
PSG insistoi për transferimin e Rakiticit me një ofertë rreth 100 milionë euro, por që në fund u hodh poshtë si nga klubi ashtu edhe nga lojtari.
Ka qenë vetë reprezentuesi kroat që ka folur për Mundo Deportivon rreth të ardhmes së tij.
Rakitic ka kontratë me Barcelonën edhe për tri vite, por qëllimi i tij është të qëndrojë edhe më gjatë në Camp Nou.
“Jam në Barcelonë që një kohë të gjatë dhe kam kontratë edhe për tri vite të tjera”.
“Unë jam shumë mirë në Barcelonë dhe mendoj për vazhdimin e kontratës”, ka thënë Rakitic.
Ish-anëtari i Schalke 04, Baselit dhe Sevillës ka konfirmuar se është ftuar nga presidenti Bartomeu për vazhdimin e kontratës.
“Presidenti Bartomeu më ka ftuar për vazhdimin e kontratës dhe jam i etur të flas për një marrëveshje afatgjate si lojtar i Barcelonës”, ka thënë Rakitic.
30-vjeçari iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2014 nga Sevilla. /Telegrafi/