Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mohon se do të ngritet një mur tjetër, një ditë para fillimit të punimeve në Veri të Mitrovicës për realizimin e projektit për revitalizimin e Urës së Ibrit.
Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Mitrovicës së Veriut, me lehtësimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fundjavë arritën një marrëveshje, me të cilën pengesa mur, e lartë 2 metra, ra dje.
Në kuadër të saj, palët janë pajtuar edhe planin e ri në lidhje me sheshin që do të shtrihet në rrugën ‘Mbreti Petar’, të cilin Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut e shpjegon në detaje për RTV Dukagjinin.
“Ne jemi marr vesh atë murin ekzistues ta rrënojmë si dhe ta ndërtojmë një strukturë me dizajn të ri, për të cilën jemi marr vesh me gjithë aktorët e përfshirë në dialog. Unë do ta shpjegojë se si do të duket kjo strukturë e re. Do të thotë nuk do jetë mur, por do jeni disa si shtylla të vendosura në zonën e këmbësoreve, të cilat mund të largohet në rastet emergjente që lidhet me zjarrfikësit apo raste të tjera që llogariten si emergjente dhe mund te hyhet në zonën e këmbësorëve”, tha ai.
Zona ku do të vendosen kunjat, do ta zë një hapësirë prej 9 metrash, pjesa tjetër ndërkaq, do të jetë e rrethuar nga zhardenierë betoni, që në to do të mbillen gjelbërim, dhe do të zgjaten deri te përfundimi i rrethit që lidhet me rrugën, e cila çon për në Suhadoll.
Në to, me pamje nga sheshi, do të mbahen stola të punuara prej druri, gjersa struktura me dizajn të ri do të zhvendoset dy metra larg vendit ku ishte ndërtuar muri ilegal.
“Do të ketë një zonë të rrethuar në një pjesë prej 40 centimetrash, ndërsa në pjesë tjetër do të jetë 70 centimetra. Unë dua t’i lus, në veçanti qytetarët, që të presin dhe të jene të durueshëm, sepse mbi gjitha është me rëndësi se si do të jetë në fund dhe si do të duket ky dizajn. Qyteti ynë me të vërtetë do të fitojë një shëtitore shumë të mirë, që në fund do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo politikës”, tha Rakiq.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, mendon se plani i ri për sheshin në pjesën veriore duhet të hidhet në diskutim publik.
Sipas tij, projekti është vetëm propozim i Kryetari të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, por nuk është në harmonizim me Zyrën e BE-së.
“Unë mendoj se do të ketë ndryshime dhe do të kërkohet tendenca që mos të figurojë mur. Arteria kryesore që lidh jugun dhe veriun është shndërruar në shesh, duke bërë një ndërprerje organike, defektet tjera kanë qenë në shoqërim të saj”, tha ai
Muri në Veri të Mitrovicës, i ngritur fundvitin e shkuar, por që është rrëzuar dje, është njëra nga çështjet që ka ngjalluar tensione mes Kosovës dhe Serbisë, në muajt e fundit, të cilat Brukseli është munduar t’i ulë me takime në nivelin më të lartë politik./RTV Dukagjini/Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=XpGYdQ7XBUM