Telegrafi

Rakiq: Asociacioni, kusht për hyrje në Qeverinë Haradinaj

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë bërë të ditur se kanë qartësuar kushtet në të cilat kanë vendosur të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, deklaroi se ndër kërkesat kryesore është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sipas marrëveshjes në dialogun në Bruksel.

Sipas fjalëve të tij, aty bëjnë pjesë edhe mbrojtja e pronës dhe kthimit të të zhvendosurve, si dhe zbatimi i ligjeve të Kosovës, në mënyrë që ato të mos mbeten “shkronjë e vdekur në letër”.

Ai ka thënë se Lista Serbe të gjithë hapat e vet do t’i ndërmarrë në interes të popullit serb në Kosovë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë sqaruar, se për ministritë që do t’iu takojnë në qeverinë e ardhshme të Kosovës, kanë biseduar edhe me përfaqësuesit e koalicionit PAN dhe AKR-në e Behgjet Pacollit, transmetojnë mediat serbe. /Telegrafi/