Autoritetet serbe po hetojnë raportet se një paketë ngarkesë që përmbante dy predha me mbushje eksplozive u gjet në një fluturim të pasagjerëve nga Libani për në Serbi.
Paketa me dy raketa u zbulua të shtunën nga qentë nuhatës, pas një fluturimi të Air Serbia nga Bejruti në aeroportin e Beogradit, raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas medieve serbe, në bazë të dokumenteve, destinacioni final i predhave AGM-114, ishte Portland, Oregon nëpërmjet Londrës.
Predhat, prodhim amerikan mund të hidhen nga ajri, deti apo platformat tokësore.
“Ne mund të konfirmojmë se një dërgesë e mallrave, e destinuar për një destinacion tutje, u zbulua në aeroportin e Beogradit [të shtunën] si rezultat i masave të rrepta të shqyrtimit të sigurisë. Linja ajrore është duke ndihmuar me hetimin. Siguria është prioritet numër një i Air Serbisë”, ka thënë kompania.
Agjencia shtetërore serbe e lajmeve Tanjug ka raportuar se raketat ishin të paketuara në arkivole prej druri, transmeton Telegrafi.
Modeli i AGM-114 është prodhuar nga Lockheed Martin, Boeing dhe Northrup Grumman.
Ajo peshon rreth 45 kilogramë dhe kushton rreth 110,000 dollarë në copë.
Shumica e modeleve përdorin lazer në objektivat e tyre, edhe pse një version i AGM-114 mbështetet në radar. /Telegrafi/