Site icon Telegrafi

Raka, mesazh partive politike: Jeta e simpatizantëve tuaj është më e vlefshme sesa vota e tyre

Ndonëse fushata zgjedhore zyrtarisht ka nisur të mërkurën më 3 shkurt 2021, partitë politike ka tash e sa javë që kanë nisur takimet me simpatizantët e tyre nëpër komuna.

E duke pasur parasysh situatën me pandeminë dhe pavarësisht dënimeve nga ana e Inspektoratit, ajo çfarë kemi parë deri më sot është se subjektet politike nuk janë duke i kushtuar rëndësi shëndetit të qytetarëve, duke u grumbulluar kështu në masë të madhe pa i respektuar masat antiCOVID-19 që janë në fuqi.

Lidhur me këtë ka folur mikrobiologu Lul Raka, duke e konsideruar shqetësuese. Në një prononcim për Telegrafin, Raka ka thënë se grumbullimi i njerëzve në tubime partiake pa respektim të masave parandaluese, mund të jetë katalizator i fuqishëm, i përhapjes së rasteve të reja me COVID-19.

Lexo po ashtu Subjektet politike shkelin masat antiCOVID-19 gjatë tubimeve, Inspeksioni në Prishtinë ka shqiptuar shtatë gjoba

“Fillimi i fushatës parazgjedhore gjatë janarit, në të cilën asnjë parti nuk respektoi masat parandaluese mund të jetë katalizator i fuqishëm i përhapjes më të shpejtë të rasteve të reja, të cilat gradualisht mund të mbizotërohen nga varianti i ri i virusit. Intensifikimi i fushatës gjatë ditëve në vijim me grumbullimin e qindra, e në disa raste edhe mijëra simpatizantëve në objekte të mbyllura më kohë pandemie e rrit edhe më shumë këtë rrezik”, ka thënë Raka.

Mikrobiologu Raka ka shtuar se qasja e tillë është e papranueshme dhe kërcënon shëndetin e qytetarëve, duke shtuar se liderët politikë duhet ta kenë të qartë që jeta e simpatizantëve të tyre është më e vlefshme sesa vota e tyre.

“Qasja e tillë është e papranueshme dhe kërcënon shëndetin publik e individual të qytetarëve të Kosovës. Liderët politikë duhet ta kenë të qartë se jeta e simpatizantëve të tyre është më e vlefshme sesa vota e tyre. Prandaj, ata duhet të prijnë në zbatimin e masave parandaluese”, u shpreh Raka.

Lexo po ashtu Tubimet elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit – Ambasada britanike kërkon të respektohen masat anti-Covid

Fushata për zgjedhjet e parakohshme 2021 në Republikën e Kosovës ka filluar më 3 shkurt dhe do të vazhdojë deri më 12 shkurt.

Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit më 14 shkurt 2021, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 kur edhe do të mbyllen qendrat e vendvotimit. /Telegrafi/

Exit mobile version