Telegrafi

Me rajonin në prag të luftës, Izraeli duhet të kuptojë se nuk ka më “kthim në normalitet”

Nga: Dahlia Scheindlin, analiste nga Izraeli dhe autore e librit The Crooked Timber of Democracy in Israel / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Hazlash është një akronim qesharak në zhargonin hebraik. Përafërsisht do të thotë “siç ishe”, ose në një idiomë joushtarake, “kthim në normalitet”. Kur brenda pak orësh pasi Izraeli goditi mijëra raketahedhës të Hezbollahut të Libanit, në orët para agimit të së dielës, vala e panikut të mëngjesit në Izrael u qetësua dhe hazlashi u rikthye.

Kthimi në normalitet nuk ishte i garantuar. Ndërsa njerëzit u zgjuan, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhanë një sërë kufizimesh civile për përgatitjet për përshkallëzim, dhe ministri i Mbrojtjes shpalli gjendjen e jashtëzakonshme 48-orëshe. Plazhet dhe disa aktivitete rekreative publike u mbyllën – që nga qyteti i Rishon LeZionit në jug të Tel Avivit, deri në kufirin verior të Izraelit. Fatkeqësisht, Aeroporti “Ben Gurion” u mbyll. Por, nga ora 7:00 e mëngjesit, aeroporti u hap përsëri. Kjo ishte një shenjë e madhe e hazlashit. Në fakt, asgjë nuk është normale dhe asgjë nuk është aspak qesharake.

Lexo po ashtu: Për dallim nga Netanyahu, ne izraelitët nuk i duam luftërat

Jonormaliteti më i dukshëm është se Izraeli dhe Hezbollahu nuk janë shumë larg nga gremina e luftës sesa ishin para orës 4:40 të mëngjesit të së dielës. Para kësaj, Izraeli pretendoi se kishte vrarë një nga komandantët më të lartë ushtarakë të Hezbollahut në zemër të Bejrutit, duke krijuar javë të tëra frike në Izrael lidhur me reagimin e Hezbollahut (pothuajse e njëkohshme me vrasjen në Teheran të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, që supozohet të jetë vepër e Izraelit, gjë që shkaktoi gjithashtu frikën nga reagimi iranian). Para kësaj, Hezbollahu lëshoi raketa në Lartësitë e Golanit që vranë një duzinë fëmijësh dhe adoleshentësh, të gjithë nga komuniteti druz. Para kësaj, dhe para kësaj … deri në orët e para të agimit të 8 tetorit, kur Hezbollahu goditi Izraelin nga shpërthimi i entuziazmit për sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor. Armiqësitë afatgjata natyrisht shkojnë shumë më tej dhe ato shtrihen në armiqësinë e gjatë midis Iranit dhe Izraelit.

Në mes të këtyre shpërthimeve të dhunës, çdo ditë është një makth për civilët në rajonet kufitare – veriu i Izraelit dhe jugu i Libanit. Dhjetëra mijëra janë evakuuar nga të dyja palët. Të tjerët vrapojnë në strehimore ose dollapë, duke parë se si predhat përplasen në shtëpitë e tyre ose humbasin jetën. Çdo ditë mund të ndodhë edhe një herë masakra e Lartësive të Golanit dhe asnjëra palë nuk është e sigurt. Fatkeqësia tjetër mund të ndezë ciklin tjetër të hakmarrjeve; çdo hakmarrje mund të shkaktojë luftën më të madhe Izrael-Hezbollah, e cila nga ana tjetër mund të ndezë fronte shtesë në Lindjen e Mesme. Nëse Irani përfshihet, një luftë e tillë mund të tërheqë akterë të mëdhenj.

Por, edhe kthimi në një normalitet të përkohshëm është shumë i ndryshëm nga ai i Izraelit para 7 tetorit. Vendi ka qenë që atëherë në luftë në Gazë. Dhe, siç ndodh shpesh në luftë, situata po ekspozon disa nga ndarjet më të thella midis popullit izraelit, ose midis shoqërisë dhe vetë shtetit. Gjithashtu krijon të reja. “Normale” do të thotë kthim në negociatat e deritanishme të pafrytshme mbi pengjet e Izraelit në Gazë dhe një marrëveshje armëpushimi. Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, kanë qenë në disa pika të papajtueshëm – Hamasi në të kaluarën ka insistuar në kushte të papranueshme për një marrëveshje, ndërsa Izraeli thuhet se ka shtuar kushte të reja. Drejtuesit nga të dyja palët janë të zënë duke fajësuar njëri-tjetrin; izraelitët, palestinezët dhe mbështetësit e tyre globalë po rreshtohen me kujdes në anën e duhur të argumentit. Ndërkohë, pengjet izraelite dhe palestinezët në Gazë po vdesin për çdo ditë.

Izraelitët po luftojnë ashpër njëri-tjetrin për fatin e pengjeve të tyre. Ky është një nga konfliktet më të shëmtuara politike në historinë e vendit; sondazhet tregojnë se një shumicë e izraelitëve dëshirojnë që pengjet të kthehen, madje edhe në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe armëpushimit. Për shumë njerëz, besimi i tyre te kryeministri Benjamin Netanyahu është shkatërruar përgjithmonë nga qëndrimi përbuzës që ata mendojnë se ai ka treguar ndaj pengjeve izraelite dhe ankthit të familjeve të tyre. Megjithatë, një pakicë e konsiderueshme dhe e fuqishme mendon se pengjet duhet të shihen si një sakrificë e nevojshme për të arritur qëllimet e luftës – dhe qeveria qartazi dëshiron që këto synime të përfshijnë pushtimin dhe zgjidhjen e çështjes së Gazës.

Mbështetësit e çështjes së pengjeve dyshojnë se qeveria i ka shpërfillur ata sepse janë laikë, ndoshta edhe për shkak të reputacionit të majtë të komuniteteve të kibucit në jug. Ekziston një konkurrencë po aq demoralizuese se cila popullsi civile vlen më shumë në sytë e qeverisë. Izraelitët që pësuan në pjesën më të madhe të sulmit të Hamasit në jug, ndihen aq të braktisur nga shteti saqë kanë refuzuar përpjekjet e udhëhequra nga qeveria për të organizuar një ceremoni përkujtimore të njëvjetorit.

Banorët izraelitë të veriut u evakuuan me mbështetjen e qeverisë, por shumë të tjerë mbeten. Ata i janë lutur qeverisë të ndërmarrë veprime për të rivendosur sigurinë, në mënyrë që të mund të kthehen të gjithë. Disa mbrojnë luftën e plotë, të tjerët priren drejt diplomacisë. Ata kanë parë së fundmi qeverinë duke ndërmarrë veprimet e saj më të forta ushtarake vetëm pasi një dron i hutëve u rrëzua në Tel Aviv, ose kur të dielën në mëngjes Hezbollahu drejtoi raketat e veta drejt qendrës së vendit. Izraeli goditi ashpër Jemenin dhe Libanin. Dëshpërimi i atyre në veri po zien; të dielën, drejtuesit e këshillave lokale nga zonat kufitare veriore të Izraelit, bënë një njoftim të habitshëm se do të ndërpresin çdo kontakt me autoritetet qeveritare. “Mos thirrni, mos ejani. Mos dërgoni mesazhe. Deri tash ia dolëm vetë. Tash e tutje ia dalim vetë”, thanë ata.

Gjithashtu të dielën, Otzma Yehudit, partia e Itamar Ben-Gvirit, ministrit të Sigurisë Kombëtare, thuhet se në gazeta nxori reklama duke kërkuar shkarkimin e shefit të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme të Izraelit. Dhe, gjatë natës, një “burim diplomatik” – që gjerësisht mendohet se ishte vetë kryeministri – qortoi zëdhënësin e IDF-së i cili ka bërë të ditur se kthimi i pengjeve ishte qëllimi i vetëm i luftës. Përveç lirimit të pengjeve, Netanyahu në përgjithësi flet për disa qëllime, përfshirë shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. Kushdo që të jetë në të vërtetë “burimi diplomatik”, veprimet e Netanyahut dëshmojnë se ai ka synime të tjera, megjithëse pas më shumë se 10 muajve ai nuk i ka arritur ato. Gjithçka është një hazlash i ri.

Normaliteti i ri po futet thellë në psikologjinë kombëtare të Izraelit, dhe po bëhet më parësor dhe më provincial. Të gjithë mendojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të mbijetuar përshkallëzimin e radhës, për pikëllimin, bateritë e telefonit dhe vendndodhjen e strehës më të afërt. Ajo pak hapësirë mendore që ka mbetur, shkon për t’u shqetësuar se pse bota e urren Izraelin; nuk ka mbetur asnjë shans i mirë për veprimet e Izraelit që sjellin kritikat (që nuk janë domosdo të barabarta me urrejtjen, dhe në fakt mund të jenë për të mirën e Izraelit). Edhe më pak hapësirë mendore mbetet për të treguar ndjeshmëri ndaj civilëve në Gazë.

Normalja e vjetër ishte me të meta dhe krijoi kushtet që kjo normale e re të dilte në sipërfaqe. Izraelitët dhe palestinezët kanë nevojë për një armëpushim për t’ia dhënë fund kësaj lufte dhe për të heshtur bombën rajonale me sahat. Atëherë ata duhet të krijojnë një normalitet krejtësisht të ri për të ardhmen. /Telegrafi/