Rahoveci ka fituar derbin ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 92:86 (15:18, 19:18, 26:18, 32:32), në kuadër të javës së 14-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshje ishte shumë interesante dhe dramatike, duke u vendosur në çastet e fundit. Çereku i parë ishte kryesisht i baraspeshuar, derisa përfundon 15:18 për mysafirët. Lojë e barabartë u zhvillua edhe në periudhën e dytë, 19:18, derisa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 34:36.
Perioda e tretë ishte mjaft interesante. Kjo pjesë filloi e baraspeshuar, megjithatë, tre minuta para fundit Ylli kishte epërsi 49:54, por, Rahoveci nuk dorëzohet dhe me një seri prej 11:0, kalon në epërsi 60:54, që ishte rezultati pas 30 minutash lojë. 10 minutat e fundit ishin mjaft interesante. Therandasit arrijnë të barazojnë shifrat në 68:68, por vendasit të udhëhequr nga Traylor dhe Jones, u treguan më të vëmendshëm në fund për të triumfuar 92:86.
Te Rahoveci u dalluan Isaiah Traylor me 32 pikë e 10 kërcime dhe Marvin Jones me 31 pikë e pesë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Demetris Morant me 16 pikë e 21 kërcime, Cody John me 17 pikë, Samir Zekiqi me 16 dhe Valon Bunjaku me 15.
Rahoveci ka 11 fitore dhe tri humbje, kurse Golden Eagle Ylli tetë fitore dhe gjashtë humbje.