Rahoveci ka fituar derbin e javës së 19-të në Superligën e Kosovës në basketboll, duke mundur Sigal Prishtinën me rezultat 70:57 (17:4, 16:13, 20:22, 17:18).
Ndeshja është përcjell nga një numër i madh i tifozëve, duke shënuar në mënyrën më të mirë fillimin e stinorit pranveror.
Vreshtarët e nisën ndeshjen shumë më mirë, duke e fituar bindshëm çerekun e parë 17:4. Lojë më e barabartë u zhvillua në periudhën e dytë, por vendasit ishin më të mirë, 16:13, ndërsa pas 20 minutave rezultati shënonte 33:17.
Në periodën e tretë, dukej se Prishtina do të kthehet furishëm dhe pasi e filloi shumë mirë, sërish Rahoveci u kthye në lojë dhe kjo pjesë përfundoi 20:22.
Dhjetëminutëshi i fundit ishte i barabartë, 17:18 dhe Rahoveci triumfoi në fund me rezultat 70:57.
Më të dalluarit te Rahoveci ishin Darell Davis me 18 pikë e shtatë kërcime dhe Alban Veseli me 15 pikë dhe 10 kërcime, kurse te Prishtina më i miri në parket ishte debutuesi Jordan Johnson me 22 pikë.
Rahoveci tani ka 12 fitore dhe pesë humbje, kurse Sigal Prishtina 13 fitore dhe katër humbje.