Site icon Telegrafi

Rahoveci nikoqir i Superkupës së Kosovës në hendboll

Gjatë ditës së shtunë në qytetin e Rahovecit, më konkretisht në palestrën “Mizahir Isma” do të zhvillohet Superkupa e Kosovës në hendboll.

Vendimi që kjo garë të organizohet në Rahovec, u mor gjatë ditës së sotme, pasi bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës, shqyrtoi kërkesën e KH Rahoveci të cilët kishin shfaqur interesim që të ishin nikoqir të kësaj ngjarjeje sportive.

Ndeshja e parë e cila është në program, është ajo në mes të KH ”Istogu” (F) dhe dhe KH ”Ferizaj” (F), që zhvillohet me fillim nga ora 15:30, ku skuadra e Istogut është kampione në fuqi, ndërsa skuadra e Ferizaj është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës në hendboll.

Ndërsa me fillim nga ora 18:00, hendbollistët e KH ”Rahoveci” përballen me skuadrën e Kastriotit, ku aktualisht KH ”Rahoveci” është kampion në fuqi, ndërsa Kastrioti është fitues në fuqi i Kupës së Kosovës.

Ky edicion i Superkupës së Kosovës në hendboll, i kushtohet ish-sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, Izet Gjinovci, i cili ndërroi jetë më 5 gusht.

Gjinovci për mbi dy dekada e mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, dhe kontributi i tij për hendbollin vlerësohet jashtëzakonisht shumë. /Telegrafi/

Exit mobile version