Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 90:88 (25:30, 25:17, 23:24, 17:17), në xhiron e parë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja nisi e baraspeshuar deri te rezultati 15:15, por më pas therandasit ishin më të mirë, duke pasur epërsi deri në shtatë pikë, 18:25, ndërsa çerekun e parë e fituan 25:30.
Periudha e dytë ishte shumë interesante dhe me shumë rikthime, ndërsa përfundoi në të mirë të vendasve, që shkuan në pushim me shifrat 50:47.
Vreshtarët vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, ku krijuan epërsinë më të lartë, 65:56, por sidoqoftë, mysafirët u rikthyen, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 73:71.
Edhe në dhjetë minutat e fundit u zhvillua ndeshje dramatike, ku fituesi u vendos në sekondat e fundit.
Në minutën e fundit, Carson i vendasve shënoi dy pikë nga gjuajtja e lirë për 90:88, ndërsa më pas Ylli dështoi në dy aksionet e fundit dhe Rahoveci shënoi fitoren e parë këtë kampionat, duke e mposhtur kampionin aktual.
Te Rahoveci u dalluan Jahin Carson me 19 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime dhe Chris Seeley me 18 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Henrik Sirko me 26 pikë, gjashtë kërcime dhe shtatë asistime, Chris Harris me 18 pikë e 16 kërcime dhe Valon Bunjaku me 21 pikë e nëntë kërcime.