Klubi basketbollistik i Rahovecit ka fituar me tetë pikë epërsi kundër Boreas në ndeshjen e vlefshme për Superligën e Kosovës në basketboll.
Në takimin e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Rahoveci fitoi me rezultat 91-83.
Ekipi që kishte epitetin e nikoqirit ishte bindës në çerekun e parë duke fituar me gjashtë pikë epërsi (26:20).
Në pjesëlojën e dytë, vendasit shënuan një pikë më pak se mysafirët (25:26), mirëpo shkuan në pushim me epërsi prej pesë pikësh.
Edhe në çerekun e tretë, Borea shënoi tri pikë më shumë se Rahoveci (15:18) për ta ngushtuar akoma më shumë rezultatin.
Megjithatë, në dhjetëminutëshin e fundit, vendasit u treguan dominues (25:19) për të fituar bindshëm 91-83.
Në duelin tjetër, Golden Eagle Ylli është treguar shumë i fortë për Kerasan Prishtinën 92-76.
Rahoveci është në vend të katërt dhe numëron 12 pikë aq sa kanë edhe Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli që pozicionohen më lartë. /Telegrafi/