Site icon Telegrafi

Rahoveci barazon serinë gjysmëfinale ndaj Yllit, finalisti vendoset në ‘Mizahir Isma’

(Foto: basketbolli.com)

Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit në udhëtim me rezultat 65-68 (4:21, 21:16, 20:19, 20:12) në ndeshjen e katërt gjysmëfinale të ‘play-offit’ në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndeshja e pestë do të zhvillohet të martën në Rahovec, ku do të vendoset se kush do të kualifikohet në finalen e madhe.

Vreshtarët e nisën ndeshjen për mrekulli, duke dominuar në mbrojtje dhe në sulm në çerekun e parë, madje me epërsi prej 1:15, derisa kjo pjesë përfundon 4:21. Lojë më e baraspeshuar u zhvillua në periudhën e dytë, kurse mysafirët kishin epërsi 16:37, por më pas këndellen paksa vendasit, derisa pjesa e parë përfundon 25-37.

Skuadra rahovecase vazhdoi me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, ku në periodën e tretë arriti epërsi deri në 23 pikë, 29:52, me një seri prej 4:15, por therandasit nuk dorëzohen dhe ngushtojnë shifrat në 45:56.

Ylli rikthehet fuqishëm në 10 minutat e fundit, ku 4:30 minuta nga fundi afron shifrat në 56-59 e 65:68, por nuk arrin të bëjë më shumë dhe seria gjysmëfinale barazohet në 2-2, ku sfida e pestë do të vendosë se kush do të kualifikohet në finale.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Gëzim Morina me 15 pikë e 15 kërcime dhe Demetris Morant me 12 pikë e 12 kërcime, kurse te Rahoveci më i miri ishte Ed Daniel me 23 pikë e 19 kërcime.

Exit mobile version