Telegrafi

Kryetari i Kamenicës paralajmëron suspendim të zyrtarëve të arrestuar për keqpërdorim të detyrës

 Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve të kësaj komune nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Përmes një konference ka thënë se të enjten do të iniciojë procedura disiplinore dhe do të suspendojë zyrtarët në fjalë.

Tutje theksoi se ka pasur ndërhyrje në raportin e pranimit të dollapëve në vlerë rreth 35 mijë euro.

“Bëhet fjalë për një tender për furnizim me dollapë në shkolla në vlerë rreth 35 mijë euro. Në bazë të asaj që kemi hulumtuar dollapët nuk kanë qenë në shkolla, këtë e kanë konfirmuar edhe drejtorët e shkollave. Më 27 janar ne kemi bërë një kërkesë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Nesër në mëngjes do të marrim të gjitha masat ligjore disiplinore dhe suspendoj zyrtarët komunalë të përfshirë në rast”, deklaroi Rahimaj.

Lexo po ashtu Mashtrime me tender, arrestohet pronari i një kompanie dhe katër zyrtarë të Komunës së Kamenicës

Ndërkaq, sipas policisë gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre anëtareve kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.

Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”.

Sot me datën 09.02.2022 në cilësinë e të dyshuarave janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, në prezencën e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme. /Telegrafi/