Site icon Telegrafi

Rafael Nadal njofton pensionimin nga tenisi me anë të një video emocionuese

Tenisti spanjoll, Rafael Nadal, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga tenisi dhe se Davis Cup nëntorin e ardhshëm do të jetë turneu i tij i fundit.

Edhe një legjende të tenisit po i vjen fundit. Bëhet fjalë për spanjollin Rafa Nadal, i cili ka konfirmuar zyrtarisht pensionimin e tij nga tenisi në fund të këtij viti.

Spanjolli me anë të një video në profilin e tij privat ka njoftuar mes emocionesh se Davis Cup në muajin nëntor do të jetë turneu i tij i fundit.

“Përshëndetje të gjithëve. Jam këtu për t’ju njoftuar se po tërhiqem nga tenisi profesionist”, ka thënë fillimisht Nadal në videon e postuar.

“Realiteti është se kanë qenë vite të vështira, veçanërisht këto dy të fundit. Nuk mendoj se kam qenë në gjendje të luaj pa kufizime. Ky është padyshim një vendim i vështirë që më ka marrë pak kohë për ta marrë, por në këtë jetë, çdo gjë ka një fillim dhe një fund”.

 

“Mendoj se është koha e duhur për t’i dhënë fund një karriere që ka qenë e gjatë dhe shumë më e suksesshme nga sa mund ta kisha imagjinuar ndonjëherë”.

“Por, jam shumë i emocionuar që turneu im i fundit do të jetë finalja e Davis Cup dhe do të përfaqësoj vendin tim”, përfundoi tenisti spanjoll.

Ndryshe, 38-vjeçari ka fituar 22 tituj Grand Slam gjatë karrierës së tij, duke qenë tenisti i dytë më i trofeshëm në histori. /Telegrafi/

Exit mobile version