Site icon Telegrafi

Radev: Nuk ka nevojë për ndërmjetësim në mes Shkupit dhe Sofjes

Presidenti bullgar Rumen Radev, konsideron se nuk ka nevojë për ndërmjetësim në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes për vazhdimin e negociatave të vendit me BE-në.

I pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se është i gatshëm të negociojë me presidentin bullgar, Radev tha se gjithmonë ka qenë i hapur për dialog, por, sipas tij, duhet të bëhet dallim ndërmjet dialogut dhe negociatave.

“Negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut përfunduan në korrik 2022, kur të dy vendet nënshkruan protokollin dypalësh për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë. Nëse po flasim për dialog, ai duhet të zhvillohet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian në bazë të Kornizës së pranuar negociuese për Maqedoninë e Veriut, e cila u miratua njëzëri nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe u pranua nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut”, tha Radev.

Sipas tij, gjërat janë më se të qarta dhe se Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë kërkesat e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe Bullgaria.

“Dhe do ta përsëris përsëri dhe përsëri, ne jemi gati dhe duhet të ndihmojmë. Kjo është përgjegjësia jonë, e kjo është ta ndihmojmë Maqedoninë e Veriut të përmbushë më shpejt dhe më efektivisht kushtet e shënuara në protokollin dypalësh dhe në Kornizën negociuese, në mënyrë që të mund të ecin më me besim në rrugën evropiane”, tha presidenti bullgar.

Exit mobile version