Telegrafi

Qyteti turk Antakya është shkatërruar plotësisht, nuk ka ndërtesë që pothuajse nuk është shkatërruar

Gjendja e rëndë në Turqi në veçanti në qytetin Antakya pas tërmetit shkatërrues që goditi këtë vend, ka bërë që qyteti të shkatërrohet pothuajse plotësisht.

Kështu të paktën pretendon edhe një banor i këtij qytetit turk, në të cilin nuk ka mbetur pothuajse as edhe një ndërtesë pa u shkatërruar, transmeton Telegrafi.

Euronews sjell reportazhin për atë sesa dramatike është situata në këtë qytet që gjendet në jug të Turqisë.

Qindra mijëra njerëz janë angazhuar në shpëtimin e qytetarëve që kanë ngecur nën rrënojat e ndërtesave të shembura, ndërsa mijëra qytetarë po detyrohen të ndezin zjarre për t’u ngrohur, pasi është shumë ftohtë e në veçanti gjatë natës.

Lexo po ashtu Të paktën 98 të arrestuar në Turqi për plaçkitje apo mashtrim të viktimave të tërmetit shkatërrues

Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos futen nëpër ndërtesat pjesërisht të shkatërruara, pasi janë të paqëndrueshme dhe nga çasti në çast mund të shemben plotësisht.

E shumë ka edhe prej atyre që me padurim presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me anëtarët e familjeve të tyre, miqtë apo ndonjë të afërm.

Qytetarë të shumtë kanë filluar të nervozohen duke vlerësuar se ndihma për ta është e ngadaltë, kurse sipas një banori të Antakya, qyteti është bërë tani pothuajse i panjohur, pasi çdo objekt është shembur.

Në anën tjetër, numri i viktimave nga ky tërmet që goditi Sirinë dhe Turqinë ka shkuar në mbi 29 mijë, kurse i atyre që janë lënduar shkon në mbi 100 mijë. /Telegrafi/