Site icon Telegrafi

Qyteti i Shkupit pa sqarime për kriterin e dëmshpërblimit për dëmet materiale nga stuhia

Qyteti i Shkupit nuk din si ta arsyetojë kriterin e pakuptimtë të shpejtësisë së erës, në bazë të të cilit, dëmet e një dite më parë mund të mos u paguhen qytetarëve. Zyrtarisht akoma nuk ka qëndrim të prerë. Duke mos ditur në cilin ligj, akt nënligjor apo rregullore të thirret, Qyteti i Shkupit do të analizojë edhe më tej.

Për t’iu shmangur spekulimeve, do të them që përgjigjen e kësaj pyetjeve do ta japim pas analizave që do t’i bëjmë dhe të dimë konkretisht se si do të vijojmë më tutje -deklaroi Valon Salihu, Zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

A është shqyrtuar dëmshpërblimi i qytetarëve që pësuan dëme materiale një ditë më parë? As kjo mundësi akoma nuk është shqyrtuar.

Sa për dëmshpërblimet, duhet që të gjithë në Qytet të Shkupit të ulemi edhe njëherë, t’i analizojmë të gjitha detajet dhe të shohim se si mund të veprojmë”, tha Valon Salihu, Zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

Qytetarët nuk pajtohen me arsyetimin e autoriteteve të cilat pak minuta pas stuhisë deklaruan se forca e tyre nuk mjafton ndaj fuqisë mbinatyrore. Ata madje ankohen se kanë akoma probleme si pasojë e reshjeve të fundit.

“Qeveria çdoherë nga anët shqiptare nuk paguan asgjë, jo vetëm Qeveria por asnjë organ. As partitë shqiptare nuk interesohen aspak”.

“Taksat tona shkojnë për investime në pjesët maqedonase, ndërsa tek ne jo. Shihen akoma dëmet. Rryma nuk është rregulluar. Banesat dhe xhamia kanë mbetur pa energji”.

“Vështirë është me këta njerëz por nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë kam dëm por nuk kam arritur ta deklaroj”.

Arsyetimi i Qytetit të Shkupit nuk ekziston në Ligjin për Mbrojte dhe Shpëtim. Madje ky ligj obligon Qeverinë dhe Qytetin e Shkupit si dhe organet e njësive të vetëqeverisjes lokale, që përmes këshillave të ndajnë nga buxheti shuma që do të destinohen për dëmshpërblimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Madje neni 143 obligon organet e lartpërmendura që të bëjnë vlerësimet në bazë të gjendjes faktike dhe më pas raporti t’i dorëzohet Qeverisë e cila duhet të merr vendim mbi dëmshpërblimin. Ministria e Brendshme ka lokalizuar mbi 35 vende ku janë paraqitur dëme nga të reshurat. Shumica prej tyre kanë qenë të natyrës dru mbi vetura, mbi çati, tjegulla në rrugë e mbi vetura, dritare të thyera, rrëshqitje të veturave etj. Nga reshjet e një ditë më parë, përveç dëmeve, mijëra shtëpi mbeten pa energji elektrike, ndërsa nga uji nëpër rrugë u bllokuan bulevardet kryesore. Qyteti Shkupit zyrtarisht ka evidentuar mbi 80 pemë të rrëzuara nëpër rrugë të cilat kanë pamundësuar komunikacionin./alsat m/

Exit mobile version