Me t’u futur në qytetin e Gjilanit e kupton që atë ditë zhvillohet një ngjarje ndryshe, diçka që i jep jetë këtij qyteti, diçka me të cilën krenohet i gjithë qyteti.
Futbolli është pjesë e rëndësishme e jetës së njerëzve në këtë qytet, ndërsa dashuria e tyre për këtë sport kulmon me ndeshjen që njihet edhe si derbi më i madh lokal në Kosovë, Drita-Gjilani.
Rrugët kishin filluar të zbrazeshin, pasi të gjithë kishin marrë rrugën drejt stadiumit të qytetit.
Me t’u afruar te stadiumi sheh radhë të gjata, e tifozë të veshur me fanellat e skuadrave të zemrës.
“Sot do të fitojmë, pasi në kohën e fundit kemi fituar rregullisht në derbi”, thotë një tifoz i Gjilanit.
Gjilani që mbante fanellat e kuqe në këtë ndeshje është në ‘luftë’ për të fituar trofe, pasi ka ruajtur skuadrën e sezonit të shkuar dhe ka marrë disa përforcime të rëndësishme.
Në anën tjetër, Drita ishte vendase dhe tribuna e madhe e stadiumit u takonte atyre. Ata e kishin mbushur me tifozë dhe dukej sikurse një valë e bukur deti, pasi vezullonte nga ngjyra e kaltër.
Kishte një orë pa filluar ndeshja dhe grupet e tifozërive kishin zënë vendet dhe kishin filluar këngët e tyre.
Është një sfidë që luhet për ta zotëruar qytetin.
Ishin mbledhur pothuajse 7.000 tifozë për ta parë këtë ndeshje, që asnjëherë nuk arsyeton atë që bëhet në tribuna me lojën në fushë.
Para se të fillonte sfida, tifozët kishin përgatitur koreografitë e tyre, secila më bukur se tjetra.
I gjithë ky spektakël zhvillohej në sytë e nënkryetarit të Federatës gjermane të futbollit, Rainer Milkoreit, i cili së bashku me kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin, kishin zënë vend në tribunën VIP.
Ndeshja filloi, por pak kishte nga loja, sa kishte nga tribunat.
Këngë, fishekzjarre e gëzim nga të dy tribunat, pasi ‘lufta’ zhvillohet edhe për atë se kush arrin të bëjë diferencën nga shkallët e stadiumit.
Ndeshja u mbyll 1-0 në të mirë të Gjilanit me golin e shënuar me kokë nga kapiteni Ylber Kastrati, pas harkimit shumë preciz nga Isa Eminhaziri.
Festa pas fishëkllimës së fundit të Genc Nuzës ishte e “të kuqëve”. Ata si një familje e madhe festuan për shumë minuta në fushë, tifozë, lojtarë e madje edhe trajneri Arbnor Morina, pa dallim. Të gjithë!
Në anën tjetër edhe Intelektualët, ngushëlluan lojtarët e tyre, duke i duartrokitur në fund. Ata u ulën në fushë në shenjë kërkim falje për humbjen.
Festa e Gjilanit vazhdoi edhe në rrugë dhe do të vazhdojë deri në orët e vona pas mesnatës, pasi qyteti i Gjilanit u vesh edhe një herë kuq. /Telegrafi/