Shpërthime të shumta dhe të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar të martën në komunat veriore të Kosovës ku do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunave. Një nga shpërthimet ka ndodhur në bllokun e banesave të quajtur “Tre rrokaqiejt”, në Mitrovicën e Veriut.
Qytetari nga Mitrovica e Veriut, Blerim Zhubi tha për Telegrafin se familja e tij është jashtëzakonisht e tronditur nga rasti, ndërsa tha se tanimë janë duke qëndruar tek të afërmit e tyre, në Mitrovicën e Jugut.
“Familja është jashtëzakonisht e shqetësuar sepse në momentin kur ndodhi unë isha në punë. E kam telefonuar familjen se si janë dhe me kanë treguar që kanë po dëgjohen shpërthime shume, iu tregova që edhe neve në punë na kanë evakuua sepse paska ndodhe diçka. Unë banoj afër lagjes së rrokaqiejve që është një pjesë kryesisht e banuar prej serbëve. Iu thash familjes që merrni çantat dhe dilni prej banesës. Jemi pesë anëtarë në familje bashkëshortja dhe nëna e kanë përjetuar shumë keq pasi që fëmija janë të vogël. Tani jemi duke qëndruar tek të afërmit në Mitrovicën e Jugut”, u shpreh ai.
Zhubi tutje tregon se sipas bashkëshortes së tij, kur ishin duke u larguar nga banesa serbët po e shikonin largimin e tyre, duke e shoqëruar me buzëqeshje.
“Kur kanë dal para banesës ishte e mbushur aty me serbë. Bashkëshortja po më tregon se kur ishin duke dalë serbët po i shikonin duke buzëqeshur pasi po e lëshonin vendin. Nënën e kam të sëmur me sklerozë, kjo situatë është e përsëritshme shumë kohën e fundit, nuk ka prezencë në atë pjesë të Policisë së Kosovës, ata nuk guxojnë me dal në pjesën veriore”, deklaroi ai.
“Policia po na thotë që gjeni rrugë alternative tjera dhe mos lëvizni nga ura këndej. Ka edhe të tjera familje që janë sulmuar dje në Mitrovicë ”, tha Zhubi për Telegrafin.
Tensione pati në veri të Kosovës, nga qytetarët serbë për të kundërshtuar shkuarjen e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Brenda zyrave të komisioneve komunale gjuajtën ‘shock bomba’, si dhe pati edhe të shtëna me armë zjarri. Zyra e KKZ-së në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës përmes një njoftimi publik ka apeluar për qetësi dhe fton të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimi dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta./Telegrafi/