Site icon Telegrafi

Qytetarëve të Kosovës u janë refuzuar vizat Schengen më shumë se atyre të Palestinës (Infografikë)

Instituti EPIK përmes një studimi ka paraqitur trendet kryesore të aplikimit dhe aprovimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për vizë Schengen në periudhën 2014-2018. Sipas këtij instituti, Kosova kishte shkallë më të lartë të refuzimit të vizave sesa Egjipti, Guinea-Bissau, Burkina Faso apo Palestina.

EPIk ka  analizuar më në detaje shkallen e refuzimit të vizave në rastin e Kosovës, pasi që kjo përbën një nga indikatorët më të rëndësishëm që merret parasysh në kuadër të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave.

Në periudhën 2014-2018, gjithsej 413,569 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta 281,826 kanë marrë vizë Schengen, thuhet në studimin e EPIK, përcjell Telegrafi.

Në vitin 2018, gjithsej 90,840 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta 63,424 kanë marrë vizë Schengen. Shkalla e refuzimit të vizave ishte 21.6%. Në vitin 2018, shkalla e refuzimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për pajisje me vizë Schengen është përkeqësuar krahasuar me vitin 2017, nga 19.6% (2017) në 21.6% (2018).

Në vitin 2018, më së shumti aplikacione për vizë janë bërë në Gjermani me 32,529 aplikacione, nga cilat u miratuan 25,058, Zvicër me 30,712 aplikacione, nga cilat u miratuan 24,504 dhe Greqi me 6,922 aplikacione, nga cilat u miratuan 6,039.

Në vitin 2018 Kosova ishte në vendin 39 nga të gjitha vendet e botës për nga shkalla e refuzimit të vizave për vizë Schengen. Kështu, Kosova ishte e ranguar më dobët se sa Egjipti, Guinea-Bissau, Burkina Faso apo Palestina të cilët kanë pasur shkallë më të ulët të refuzimit të vizave se Kosova në vitin 2018.

Në veçanti është me vlerë krahasimi i shkallës së refuzimit të vizave të Kosovës me dy vende të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave në vitin 2017 – Gjeorgjia dhe Ukraina. Në vitin 2016, Gjeorgjia kishte shkallen e refuzimit të vizave prej 12.1%, ndërsa Ukraina 3.2%.

Viza Schengen është vizë e qëndrimit të shkurtër që lejon mbajtësin e saj të qarkullojë në zonën Schengen.

Zona Schengen mbulon 26 vende (“Shtetet Schengen”) pa kontroll kufitar midis tyre. Këto vende janë: Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Viza Schengen nuk është vizë e cila jap të drejtë pune apo studimi. Viza Schengen është autorizim i lëshuar nga një shtet i Schengenit i cili mundëson:

Transitin apo qëndrimin në territorin e shtetit Schengen në periudhë prej jo më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve (“viza afatshkurtër”),

Transiti përmes pjesëve transit të aeroporteve të Shteteve Schengen (“viza transit e aeroporteve”), thuhet në studimin e EPIK. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version