Pas vizitave në qytetin e Mitrovicës dhe Komunën e Vushtrisë, reperi Mozzik ka zhvilluar vizitën e tij të radhës edhe në Pejë.
Ai është duke promovuar albumin e tij më të ri “Mozzart” në mbarë qytetet e Kosovës, duke shpërndarë albume falas për fansat e tij.
Megjithëse u bëri thirrje që të jenë të kujdesshëm, duke bartuar maska e ruajtur distancimin social, qytetarët në Pejë duket se nuk e kanë dëgjuar këshillën e reperit.
Me të arritur në qendër të qytetit, Mozzik publikoi një video nga sheshi ku shihej i mbushur plot e përplot me fansa, të cilët nuk po e ruanin distancën e sugjeruar si masë preventive për virusin COVID-19.
Nga pamjet duket se plot të rinj entuziastë kanë dalë në qendër të Pejës, për të takuar nga afër reperin dhe me gjasë të marrin falas një prej albumeve që ai po shpërndante.
Mirëpo mos-ruajtja e distancës dhe mos-mbajtja e maskës shihen si rrezik permanent për përhapjen e virusit – ndaj kjo është dhe arsyeja që Qeveria e Kosovës këtë vit ka marrë vendimin për ndalimin e tubimeve në masë, përfshirë: koncertet, ahengjet familjare e dasmat.
Pas Pejës, 24-vjeçari do të niset për promovimin e albumit “Mozzart” edhe në Deçan. /Telegrafi/