Ministri Armend Zemaj bashkë me Nexhmi Rudarin pak para zgjedhjeve në Podujevë nënshkruan projektin 9 milionësh për ndërtimin e Spitalit në Podujevë.
Por mjetet nuk u ndanë dhe SHSKUK e ka anuluar këtë vendim.
Kryetari i Komunës se Podujevës, Shpejtim Bulliqi thotë se e kanë pritur ndërtimin e këtij spitali dhe sipas tij tashmë stafi është punësuar dhe madje një pjesë e objektit të vjetër është rrënuar.
“Nga informatat që kam është pranuar stafi me anë të procedurave të konkursit dhe ne kemi menduar se me ato kapacitete së shpejti do të fillonim punën”, tha Bulliqi për RTV Dukagjinin.
Shemsi Jashari nga “Demokracia fillon këtu” thotë se qytetarët e Podujevës janë gënjyer për t’ua marrë votat.
“Ministri Zemaj nga LDK me aq pompozitet e prezantoi planin dhe tash me këtë mungesë buxheti anulimi i projektit tregon se asnjëherë nuk është parë me seriozitet ky projekt dhe se ka qenë mashtrim në kohë fushate”.
Qytetarët e Podujevës po ndjehen të mashtruar.
“Që 22 vjet është fol për atë spital. Është bërë për fushatë elektorale”, shprehet qytetari Fadil Latifi, përcjell Telegrafi.
“Ja 10 herë është prerë shiriti për të filluar puna në atë spital”, shprehet qytetari tjetër Adnan Ferati.
Komuna e Podujevës do të kërkojë sqarime shtesë nga niveli qendror për anulimin e këtij projekti./Telegrafi/