Në Podujevë sot u mbajt sesioni informues dhe trajnues për skemën e granteve ‘Programi i Balancuar i Zhvillimit Rajonal’, të shpallur nga Ministria për Zhvillim Rajonal (MZHR).
Në takimin e mbajtur sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës, ku ishin të pranishëm shumë qytetarë dhe pronarë të bizneseve, për karakterin dhe rëndësinë e sesionin informues dhe trajnues foli nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.
Ndërsa, Mimoza Tafarshiku, menaxhere e projektit nga Agjencia e Zhvillimit Rajonal, tha se objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është zhvillimi i balancuar socio-ekonomik rajonal përmes zhvillimit të ndërmarrësisë në pesë rajonet ekonomike të Kosovës.
Gjatë prezantimit të objektivave specifike menaxherja Tafarshiku përmendi reduktimin e papunësisë duke krijuar vende të reja pune, me theks të veçantë tek të rinjtë. Mbështetje për zhvillimin e ndërmarrjeve të reja dhe ndërmarrjeve me potencial për rritje si dhe mbështetja e kompanive që kontribuojnë në zëvendësimin e importeve. /Telegrafi/