Site icon Telegrafi

​Qytetarët e konsiderojnë si “haraç të lartë” gjobën që do të aplikojë KEDS-i nga ky muaj

Edhe një barrë më shumë i është shtuar qytetarëve të vendit nga kompania KEDS sa i përket shërbimit me energji elektrike. Kjo për shkak të vendimit të fundit të kompanisë lidhur me koston shtesë në të cilën do të detyrohen të paguajnë konsumatorët të cilët vonohen në pagesat e faturave jashtë afateve të parapara. Kështu thonë qytetarët të cilët ankohen për vendimin dhe kërkojnë nga Qeveria që urgjentisht të ndërhyrë në këtë drejtim, pasi siç thonë ata, jeta e tyre po rëndohet dita ditës.

Njëjtë vlerësojnë edhe njohës të ekonomisë, të cilët po ashtu konsiderojnë se një veprim i tillë do duhej të mos lejohet.

Derisa konsumatorët do të paguajnë një taksë prej 15 eurosh që bashkë me TVSH-në shkon në 17.7 euro, shumë e cila është e paraparë sipas rregullës për shkyçje dhe rikyçje të ZRRE-së, të njëjtit thonë se e tëra është e padrejtë ndaj tyre, shkruan KP.

Qytetari Tafik Krasniqi është shprehur i shqetësuar me këtë vendim. Ai akuzon edhe qeverinë e cila nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim.

“E padrejtë qind për qind, dyfish pothuajse të paguajmë. Më herët kemi kritikuar qeveritë e kaluara, njësoj, asgjë nuk ka ndryshuar veç më keq, edhe më shtrenjtë, 120 për qind e kanë shtrenjtuar më duket. E kam parë ajo vërejtja, ose për shembull e kanë bërë fatura me qenë në zarfe, por nuk po respektohet sa kam parë unë”, thotë Krasniqi.

Edhe për qytetarin, Lutfi Hoxha, ky vendim është i pa drejtë dhe duhet të ndërhyjë qeveria që të ndryshohet.

“Ata nuk po pyesin askënd. Nuk po hy në çka dëmtohemi, kur vjen KEDS-i që kërkon të bëjë kontratë, e ata nuk nënshkruajnë kontratë, në qoftë se edhe ne kemi ankesa, duhet edhe ne me pas drejtë me iu vendos kushte atyre… Kjo është e padrejtë. Duhet qeveria të intervenojë, nuk bënë ashtu”, thotë Hoxha.

Ndërsa, për këtë njohës të ekonomisë vlerësojnë se shteti duhet t’i dalë në mbrojtje qytetarëve dhe jo t’i dëmtojë.

Ndërsa, kryetari i bordit të Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Skënder Krasniqi ka thënë se çdo ngarkesë që i vihet qytetarëve është në dëm të vet atyre por edhe në dëm të shtetit e biznesit.

“Çdo ngarkesë që i vihet qytetarëve është në dëm edhe të vendit por edhe qytetarëve, shtetit e biznesit, për shkak se ata njerëz janë duke u ballafaquar me sfida. Ky është një veprim të cilin do duhej ZRrE-ja, para se të lejojë të marrë një vendim të tillë, t’i merr parasysh edhe situatën e përgjithshme që gjendet vendi, me këtë shkallë papunësisë dhe të ardhurave të ulëta, nuk do duhej të merrej ky vendim. Do duhej t’i dilte në mbrojtje, është veprim i ngutur i KESCO-s për të siguruar mbarëvajtjen e vet, për të mbrojt biznesin e vet, por jo në kurriz të qytetarëve, duke marrë parasysh se rryma është e nevojshme dhe është e pamundshme të jetohet pa të. Pra, një veprim i tillë do duhej të mos lejohet nga ZRrE-ja, por e njëjta, t’i del në mbrojtje edhe KEDS-it në këso raste, varësisht nga numri i personave që shkyçen si rezultat i mos pagesave”, thotë Krasniqi.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadriaj ka kritikuar këtë vendim.

“Vlerësoj se është një ngarkesë e panevojshme në emër të vetëdijesimit dhe në këtë drejtim duhet të reagojë Qeveria e Kosovës dhe ZRrE për faktin që nuk mundet aty për aty dhe sipas “tekeve” të ngarkohet jeta qytetarit. Edhe ashtu është ngarkuar dhe ashtu qytetari ka jashtëzakonisht gatishmëri që të largohet nga vendi”, thotë Kadriaj.

Ndërkaq, KEDS në njoftimin e lëshuar, bënë thirrje të gjithë konsumatorëve që t’i përmbahen afatit ligjor, brenda së cilit detyrohen të paguajnë faturat e tyre që derivojnë nga shpenzimet e energjisë elektrike që i kanë bërë në periudhën paraprake.

“Duke filluar nga 1 gushti, sipas metodologjisë së ZRRE-së, fillon aplikimi i taksës për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor. Vonesat për pagesën e faturave jashtë afateve të parapara nga 1 gushti i këtij viti do të kenë edhe kosto shtesë. Në këtë kontekst, konsumatorët do të paguajnë edhe një taksë prej 15 eurosh që, bashkë me TVSH-në, shkon në 17.7 euro, shumë e cila është e paraparë sipas Rregullës për Shkyçje dhe Rikyçje të ZRRE-së. KEDS u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që t’i përmbahen afatit ligjor, brenda së cilit detyrohen të paguajnë faturat e tyre që derivojnë nga shpenzimet e energjisë elektrike që i kanë bërë në periudhën paraprake”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEDS.

Ndërkohë, edhe qytetarë të tjerë i kanë shkruar redaksisë, duke e konsideruar këtë gjobë si haraç nga KEDS-i./kp/

Exit mobile version