Site icon Telegrafi

Qytetarët dorëzojnë mbi 1 milion kuponë fiskalë

Gjatë muajit tetor dhe javës së parë të nëntorit interesimi i qytetarëve ka qenë tejet i madh për dorëzimin e plikove me kuponë fiskalë për rimbursimin e parave për tremujorin e tretë të këtij viti (korrik-gusht-shtator).

Sipas zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në tremujorin e tretë të këtij viti, ATK-ja ka pranuar 53,749 pliko me mbi 1 milion kuponë fiskalë me vlerë mbi 14 milionë euro.

Projekti po vlerësohet si tejet i suksesshëm nga zyrtarët e ATK-së, por edhe nga njohës të çështjeve ekonomike por ngrenë dyshime se do të zgjasë shumë kohë, për shkak të barrës së buxhetit.

Zyrtarja për informim në ATK, Blerta Nikqi, ka bërë të ditur për KosovaLive se interesimi i qytetarëve për dorëzimin e plikove me kuponë fiskalë për muajt korrik-gusht-shtator, krahasuar me tremujorin e dytë është rritur deri në 140%.

“Nga 19,640 pliko të verifikuara deri më 5.11.2015 nga ATK-ja, numri i kuponëve fiskalë arrin në 1,238,029, kurse vlera e tyre është 14,936,187.98 €. Kjo shifër tregon se qytetarët janë duke kërkuar kuponë fiskalë në të gjitha bizneset ku ata furnizohen me mall ose shërbim, çka ne si ATK presim nga qytetarët të vazhdojnë të kërkojnë kuponë fiskal nga bizneset ku kryejnë blerjen e mallrave apo shërbimeve”, ka thënë Nikqi.

Sipas saj, ATK-ja e vlerëson lartë këtë proces, pasi që në pjesën e luftimit të informalitetit është i kyçur direkt qytetari i Kosovës. “Jemi kujdesur që qytetarët ta kenë sa më të lehtë aplikimin nga sistemi i ATK-së dhe dorëzimin e plikove në të gjitha zyrat regjionale të ATK-së, që mos të ketë vështirësi në këtë proces”, ka thënë ajo.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në profilin e tij në Facebook, ditë më parë ka shkruar se nga ky projekt po zvogëlohet ekonomia joformale, konkurrenca po rritet – po përfitojnë qytetarët, bizneset e rregullta dhe buxheti i shtetit.

Kjo, pasi qytetarët, sipas tij, janë të nxitur të blejnë produkte vetëm nga kompanitë, të cilat lëshojnë kuponë fiskalë.

Gjatë prezantimit të rezultateve të anketës me tatimpagues për vitin 2015 lidhur me shërbimet e ATK-së, duke folur për projektin e mbledhjes së kuponëve fiskal nga qytetarët, Hoti pati thënë se numri i kuponëve fiskalë që janë mbledhur në tremujorin e fundit (korrik-gusht-shtator) është trefish më i madh sesa ai i tremujorit paraprak. “Për tremujorin prill-maj-qershor kemi paguar 330 mijë euro rimbursim të TVSH-së, por rritja e të hyrave ka qenë për 11% më shumë”, ka thënë Hoti.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka thënë ditë më parë për KosovaLive se rimbursimi i një pjese të mjeteve me kuponë fiskalë ka shtuar një kureshtje tek qytetarët dhe ata tashmë janë duke i grumbulluar, e që kjo është një risi në Kosovë që do të ketë një sukses të theksuar.

Ai ka theksuar se kjo është një formë e vetëdijes së qytetarëve për të kërkuar kuponët fiskalë, por kjo nuk do të thotë që informaliteti do të ulet në tregun e Kosovës, për arsye se në shumë kompani të cilat kanë arka fiskale, pothuajse 100% e kanë aktivitetin formal. “Kuponët fiskalë që po i grumbullojnë qytetarët janë të kompanive që janë të pajisura me arka fiskale, por ku janë ato kompani dhe ato subjekte ekonomike që nuk kanë arka fiskale dhe as nuk shpërndajnë kuponë fiskalë? Kjo në një aspekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, ndërsa projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë është edhe një tentim për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të blejnë mallra aty ku nuk ka kuponë fiskalë”, ka thënë Shahini.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, duhet t’i bojkotojnë subjektet ekonomike ku nuk kanë arka fiskale e të shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila siç thotë ai, se nuk beson se do të zgjatë shumë, për arsye se nuk do të jetë në dobi të buxhetit të shtetit.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kupon dhe me vlerë të përgjithshme nga 250 euro deri në 500 euro, do të rimbursohen në vlerën 10 euro. Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kupon dhe me vlerë të përgjithshme nga 501 euro deri në 800 euro, do të rimbursohen në vlerën 15 euro. Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kupon dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 euro do të rimbursohen në vlerën 20 euro.
/Telegrafi/

Exit mobile version