Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e re të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që më 2016 i kishte njohur pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe për 25 hektarët tokë rreth Manastirit.
Në një komunikatë të përbashkët, shtetet e QUINT-it inkurajojnë Qeverinë e Kosovës që të përmbushin angazhimin e tyre për sundimin e ligjit.
“Më 22 Mars, një Qeveri e re u emërua me një mandat të fortë që është thirrur për reforma dhe respektim të sundimit të ligjit. Një provë kryesore e vendosmërisë së Qeverisë do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i dhënë në maj të vitit 2016 mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Respektimi i shtetit të së drejtës është një detyrim për të gjitha qeveritë. Shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara inkurajojnë fuqimisht Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme me regjistrimin e ligjshëm të kësaj prone në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.
Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambassador Tomáš Szunyog, gjatë ditës është shprehur i shqetësuar se nuk po zbatohet marrëveshja për Manastirin e Deçanit./Telegrafi/