Në një intervistë me Xhevdet Shehun, akademiku Rexhep Qosja, përveç prioriteteve që duhet të ketë qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ndalet edhe tek (mos)funksionimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe simotrës së saj në Kosovë. Kritika e rreptë e Qosjes është për “uzurpimin e këtyre akademive nga mediokrit””
Qosja ka thënë se pas zgjedhjeve në Kosovë PDK e LDK duhet të shkonin në opozitë, ndërsa, Vetëvendosje të qeveriste vendin. Ndërkaq, për prioritetet e Qeverisë Haradinaj, shprehet si më poshtë:
“Përpos detyrave parësore të Qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri, para Qeverisë së Ramush Haradinajt qëndrojnë edhe një varg detyrash të tjera shumë të rëndësishme. Ja disa prej tyre. Më së pari duhet të vendoset rend, disiplinë, përkushtim ndaj punës në institucionet shtetërore e kjo do të thotë përkushtim ndaj popullit dhe shtetit; duhet të ndalohet përdorimi e shpërdorimi i gazetarëve në vazhdimësi, kur e kur të futur në partitë e në institucionet shtetërore, me qëllim që të përndjekin të mospajtuarit dhe kritikët e të këqijave në ato institucione; duhet të bëhen përpjekje që të bashkëpëlqehen, si e thonë të tjerë në vendet e tyre, ato që quajmë kombëtare me ato që quajmë qytetare; duhet të përcaktohen themelet e shoqërisë – duhet të bëhen përpjekje të përcaktohet sistem i vlerave; duhet të përcaktohet gjedhja politike shtetërore: do të jemi shtet liberal apo shtet social – unë them shtet social; nuk duhet të vihet anëtari i partisë, siç po ndodh sot, para qytetarit, por e kundërta – qytetari para së gjithash; duhet të sigurohet barazia e qytetarëve para gjyqësorit dhe drejtësisë në përgjithësi; duhet të stabilizohen institucionet dhe të bëhet shteti funksional; duhet të mënjanohet sundimi personal dhe të sigurohet funksionimi i institucioneve, me çka do të parandalohen krizat e shpeshta politike e institucionale në Kosovë; duhet të parandalohet me ligje e keqja e quajtur nepotizëm, me të cilin aq rëndë cenohet profesionalizmi dhe dëmtohen institucionet në fushat e ndryshme të jetës; duhet të sigurohet dinjiteti i shtetit me njësinë e institucioneve dhe të simboleve të tij; duhet të ndalohet veprimtaria e bankave serbe në qendrat me shumicë serbe ne Kosovë; duhet të ndalohet përdorimi i simboleve shtetërore të Serbisë në vendet ku duhet të shquhen simbolet shtetërore të shtetit të Kosovës; duhet të mënjanohet shquarja e figurave partiake në vend të figurave shtetërore në institucionet shtetërore, sepse shteti nuk është partia; duhet të mënjanohen figurat fetare në institucionet shtetërore, sepse Kosova nuk është shtet fetar po laik. E të tjera. E të tjera”. /Dita/