Akademiku i njohur Rexhep Qosja thotë se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
Me anë të një artikulli të gjatë, Qosja thekson se marrëveshja është në kundërshtim me kufirin natyror dhe se ajo kundërshtohet fort nga banorët e Rugovës.
Ai deklaron se kufiri i “ricaktuar”, është kufi jo natyror dhe se i është vënë në brendi gjeografike të Kosovës dhe se cenon kushtet jetësore të popullsisë shqiptare si popullsi e vetme e Rugovës.
“Mund të thuhet kështu sepse me këtë Marrëveshje, me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, do t’i tjetërsohen Kosovës vise me vlera të mëdha turistike, çfarë janë të rralla jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë në përgjithësi”, shkruan ai.
Por, as ata që e kanë pranuar këtë Marrëveshje me bashkëmendimtarët e tyre e as këta që e kundërshtojnë këtë Marrëveshje nuk janë marrë, në asnjë rast, në asnjë mbledhje të Komisionit për Demarkacionin e në asnjë mbledhje të Kuvendit të Kosovës me një të dhënë tjetër: nuk janë marrë me të dhënën se populli shqiptar, me Ushtrinë e tij të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, prej vitit 1997 e deri në vitin 1999 ka bërë luftë çlirimtare kundër pushtimit të Kosovës prej Jugosllavisë së mbetur, që nga viti 1992 deri në vitin 2003 e quajtur Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë prej Serbisë dhe Malit të Zi, kurse që nga viti 2003 e deri në vitin 2006 e quajtur Unioni Serbi – Mali i Zi.
Me këtë të dhënë tashmë historike është e kuptueshme pse nuk janë marrë dhe nuk merren pushtetarët dhe bashkëmendimtarët e tyre: nuk janë marrë dhe nuk merren ata që në Kosovë deshën s’deshën tani për tani po kryejnë detyrën që dikur e diku e kryente pseudoelita koloniale.
Në fund të analizës ku argumenton pse është kundër këtij kufiri Qosja thotë se“Marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të duhej të paraqitej në mbledhje të Kuvendit të Kosovës.
E në qoftë se, megjithatë, zyrtarët që janë pajtuar me të, e paraqesin, deputetët e Kuvendit nuk do të duhej ta votojnë atë Marrëveshje. Për të gjitha arsyet e sipërthëna është obligim i tyre politik, historik, atdhetar, etik, që t’i thonë Jo kësaj Marrëveshjeje!”