Telegrafi

QKUK: Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, katër prej tyre janë duke u operuar

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se në QKUK janë duke u trajtuar 13 pacientë si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiç të Mitrovicës.

Sipas njoftimit, pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Lexo po ashtu Shpërthimi i bombolës së gazit, 14 nga të lënduarit dërgohen për trajtim në QKUK

“Ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton që të trembëdhjetë pacientët”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje bëhet e ditur se katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit.

“Meqë trajtimi është duke vazhduar dhe gjendja shëndetësore mund të pësojë ndryshime, mjekët kërkojnë mirëkuptim nga mediet dhe publiku. Informatat e plota do të jepen pas ekzaminimeve finale nga mjekët kujdestar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/