Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë, pasi që zyrtarët që kanë qenë në kontakt me zarfet me votat e qytetarëve nga Serbia u është shfaqur alergji në duar.
QKUK, ka dhënë detaje lidhur me zyrtarët e KQZ-së, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në këtë klinikë.
“Në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intenzitetit të ultë. Dy nga to kanë patur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thonë QKUK.
Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.
Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.
Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar”, thuhet në njoftim.
Ndërsa drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se nevojiten 24 deri në 48 orë për të vërtetuar gjendjen e shëndetit të pacientëve.
Ai ka thënë se gjendja e pacientëve është stabile dhe janë duke u bërë të gjitha analizat e nevojshme./Telegrafi/