Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot Edicionin Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë me perceptimet mbi Politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë, ku thuhet se rreth 15.0 për qind e respodentëve besojnë se dialogu duhet të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Duke përcjellë debatin se kush do të duhej të udhëheq dialogun me Serbinë dhe duke iu përgjigjur një pyetje të hapur, rreth 15.0 për qind besojnë se dialogu duhet të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Pak më pak mbështetje ka marrë Albin Kurti nga partia politike Vetëvendosje, me 11.5 për qind të të anketuarve që besojnë se është shumë i aftë dhe në gjendje ta udhëheqë dialogun.
“Fakti që shumica dërrmuese e të anketuarve kanë sugjeruar udhëheqës në vend të institucione shtetërore, si Qeveria me 4.24 për qind dhe Kuvendi me 5.71 për qind, është një tregues kyç i domosdoshmërisë për të pasur ‘burra të fortë’ në proces”, thuhet në njoftim.
Shumica dërrmuese e të anketuarve, pothuajse 81.0 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se shkëmbimi i territoreve nuk do të ofrojë zgjidhje afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata që i janë përgjigjur po idesë për shkëmbim territorial, kanë ndjekur diskursin e Presidentit për shkëmbimin e pjesës veriore të Kosovës me pjesën jugore të Serbisë.
Ende në favor të procesit të integrimit në BE, gjysma e të anketuarve besojnë se Qeveria e Kosovës nuk po ndjek me sukses agjendën e saj të integrimit në BE. Ky zhgënjim ka qenë i pranishëm pas procesit të liberalizimit të vizave dhe zbatimit të kufizuar të MSA-së.
“Mbi 82.0 për qind e të anketuarve kanë deklaruar të jenë pro anëtarësimit në NATO. Ky qëndrim është thellësisht i rrënjosur në ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe në misionin e KFOR-it si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë krahas FSK-së”, thuhet në njoftimin e QKSS-së. /Telegrafi/