Telegrafi

QKMRT reagon për rastin e Driton Hajdarit të sëmurë, të cilit iu ndërpre pezullimi i vuajtjes së dënimit me burg

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) është duke e monitoruar rastin e të dënuarit Driton Hajdari, të cilit i është ndërprerë pezullimi i dënimit, ndonëse është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në një komunikatë oër media Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thotë se  në kuadër të mandatit për monitorimin e vendeve të privimit nga liria, në vazhdimësi ka monitoruar trajtimin e të dënuarit D.H. [Driton Hajdari] ku disa herë ka adresuar ankesat dhe shqetësimet e tij rreth problemeve shëndetësore.

“QKRMT me vëmendje ka përcjellë raportimin e mediave rreth rastit D.H. Gjendja shëndetësore e D.H. si dhe diagnoza e sëmundjes së tij, nuk mund të trajtohet në institucionet korrektuese të Kosovës”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Pamje tmerri në familjen Hajdari, policia e dërgon në burg të sëmurin e palëvizshëm

Sipas QKRMT, mungesa e institucioneve adekuate brenda Shërbimit Korrektues dhe mungesa e stafit mjekësor të vazhdueshëm për trajtimin e këtij rasti brenda institucioneve korrektuese, është raportuar edhe nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, ku janë të njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës si dhe Ministri i Drejtësisë.

“Bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj), në mungesë të trajtimit adekuat për rastet e tilla gjatë vuajtjes së dënimit, GJEDNj ka gjetur shkelje të Nenit 3 (Ndalimi i Torturës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Andaj, QKRMT do të monitoroj dhe hulumtoj trajtimin e këtij rasti në të gjitha aspektet, dhe në kuadër të mandatit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria, do t’iu adresohet autoriteteve përgjegjëse, me qëllim të parandalimit të torturës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria.

Lexo po ashtu I dënuari në rastin 'Bllaca' kërkon të mos kthehet në burg pasi thotë se nuk ka trajtim adekuat për sëmundjen që ai vuan

QKRMT ju bën thirrje të gjitha autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat për trajtimin adekuat të këtij rasti. Po ashtu QKRMT është duke avokuar që në ndryshimet e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, të zgjidhet çështja e vendosjes dhe trajtimit të rasteve me sëmundje të rënda dhe me diagnozë terminale, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Policia e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë kthyer në vuajtje të dënimit Driton Hajdarin, i dënuar për tentim vrasje në rastin “Bllaca”, përkundër faktit që sëmundja e tij është e pashërueshme ‘skleroza amfitrofike laterale’, dhe kërkon trajtim të veçantë.

Dritoni ka raporte nga specialistët dhe shefi i burgjeve të Kosovës që duhet të jetë i shoqëruar dhe që trajtimi i tij nuk mund të bëhet në burg, megjithatë Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që ai të kthehet në burg për vuajtjen e dënimit. /Telegrafi/