Telegrafi

QKMF-ja në Deçan furnizohet me barna për pacientët që po trajtohen për helmim

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha ka bërë të ditur se tashmë ka arritur një kontingjent me barna për t’i ardhur në ndihmë pacientëve të cilët po trajtohen për helmim.

Ndërsa për mungesë barnash, më herët ishte ankuar kreu i komunës, Bashkim Ramosaj.

Ai ka thënë se shpreson që deklaratat dhe premtimet e nivelit qendror për përkrahje të Deçanit  të bëhen realitet.

“Përkrahja ose ndihma deri më tash nga niveli qendror është vetëm deklarative, edhe sot janë në suazat e deklaratave dhe premtimeve, e që unë shpresoj të shndërrohen në reale, sepse është tepër e nevojshme dhe tash sot e nesër a po lëviz diçka pozitivisht”, tha Ramosaj.

Lexo po ashtu Hipoteza të ndryshme për helmimin e mbi një mijë qytetarëve në Deçan

Tutje Ramosaj tha se është duke u pritur rezultati i laboratorit për të kuptuar se për çka bëhet fjalë.

Ndërkaq, helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende. /Telegrafi.